Leximi si Ushqim për Shpirtin
Librat kanë qenë gjithmonë një pjesë e rëndësishme e shtëpisë sonë. Pasioni i hershëm i babait tim për librat ka qenë gjithmonë frymëzues, nxitës dhe intimidues në të njëjtën kohë. Edhe sot, koleksioni i tij i librave shpaloset me krenari nëpër cepa të ndryshme të shtëpisë dhe është gjëja e parë që kap sytë e çdo të ftuari në shtëpinë tonë (mund të vetë-ftoheni duke lajmëruar më parë). 😂
Personalisht, gjithmonë kam ndjerë një lloj magjepsjeje ndaj librave, por vitet e fundit leximi është kthyer në një disiplinë të mirëfilltë.
I vetmi skenar ku nuk i kam pasur shumë qejf librat ishte kur duhet t’i lëviznim në shtëpinë e re (ndaj dhimbjen me ju që e keni përjetuar).😂
Leximi si Disiplinë Shpirtërore
Nëse flasim për leximin si një disiplinë shpirtërore, mund të krijohet përshtypja se po i referohem vetëm librave filozofikë apo teologjikë. Megjithatë, edhe pse këto libra janë pjesë e rëndësishme e kësaj përvoje, të paktën për mua, besoj se ka shumë të tjerë, përtej këtyre kategorive, që kanë fuqinë të na hapin horizonte të reja, të na formojnë thellësisht dhe të gjallërojnë shpirtin tonë.
C. S. Lewis, në kryeveprën e tij Letrat e Hirziut, e përshkruan bukur këtë ide në një dialog mes djallit ekspert, “stekës së vjetër” Hirziut dhe nipit të tij, djalloshit Krimbaq.
"Le t’u kthehemi tani gafave të tua. Siç e ke pohuar edhe vetë, së pari ti e lejove pacientin të lexonte një libër që i pëlqen vërtet, thjesht sepse i pëlqen, jo me qëllim që të kishte material për të hapur biseda me miqtë e tij të rinj. Së dyti, e lejove të ecte deri te mulliri i vjetër dhe të pinte çaj atje – ecje që atij i pëlqen shumë dhe të cilën e bëri i vetëm. Me fjalë të tjera, i lejove të përjetonte dy Kënaqësi të mira...Si është e mundur që nuk e kuptove se një kënaqësi e vërtetë është gjëja e fundit që duhet ta lejoje të provonte? A nuk të shkoi mendja, se përmes kontrastit, Kënaqësia e vërtetë do të shkatërronte gjithë gënjeshtrën e madhe të cilën je përpjekur me aq mund ta mësosh ta çmojë?"1
Në këtë kontekst, pacienti i djalloshit Krimbaq nuk po lexonte një libër të rëndësishëm që do t’i jepte atij material për të hapur biseda të thella por një libër që i sillte kënaqësinë e thellë dhe të vërtetë. Pra, leximi mund të jetë një portë drejt diçkaje më të thellë, qoftë përmes një romani që na emocionon, një poezie që na prek, apo një historie që na frymëzon të bëhemi persona më të mirë. Çdokush mund të gjejë në botën e librave diçka që e pasuron dhe gjallëron shpirtin e tij ose të saj.
Përsiatje nga Libri “Can you drink the cup” të Henri Nouwen
Henri Nouwen është kthyer në një autor shumë të dashur për mua. Reflektimet e tij të thella për çështje të ndryshme të jetës shpirtërore me stilin e butë dhe qasjen e ëmbël, gërshtuar me cënueshmërinë dhe shembujt nga jeta e tij, bëhen të gjalla për mua. Prandaj dua të ndaj disa përsiatje mbi thëniet e mia të preferuara nga libri A mund ta pini kupën2.
Ky libër ofron një qasje të thellë mbi jetën shpirtërore përmes metaforës së kupës: një simbol i asaj që na është dhënë për të mbajtur, ngritur dhe pirë në këtë jetë.
Nouwen thekson rëndësinë e reflektimit mbi jetën tonë: "Një jetë që nuk shqyrtohet, nuk ia vlen të jetohet." Ai na fton të ndalemi dhe të kuptojmë çfarë ka brenda kupës sonë: gëzime, sfida, dhimbje dhe bekime. Nuk është gjithmonë e lehtë të përballesh me realitetin, por ky është një hap thelbësor drejt një jete më të plotë dhe kuptimplote.
Jezusi na tregoi se të “pimë kupën” nuk do të thotë thjesht të pranojmë fatin tonë, por të jetojmë me guxim dhe dashuri. Nouwen shkruan: "Jezusi e shndërroi kupën e dhimbjes në një kupë bekimi. Ky është misteri i Eukaristit."
Do doja shumë të lexoja nga ju prandaj mund të ndani në komente reflektime mbi librat që po lexoni këto kohë.
C. S Lewis, Letrat e Hirziut. Shtëpia Botuese “Shigjeta”
Henri Nouwen, Can You Drink the Cup?
Shqipe që të mbush shpirtin 😍