“«Ja, po vijnë ditët, kumton Zoti, kur do ta përmbush premtimin që i bëra shtëpisë së Izraelit e shtëpisë së Judës. Në ato ditë e në atë kohë do të qes prej Davidit një pinjoll të drejtë, i cili do të zbatojë të drejtën dhe drejtësinë në vend. Në ato ditë Juda do të shpëtohet, Jerusalemi do të banojë i qetë e do të thirret: Zoti është drejtësia jonë.” Jeremia 33:14-16
Kemi hyrë tashmë në javën e parë të Adventit, kjo stinë e veçantë që na fton të ndalemi dhe të reflektojmë më thellë për ardhjen e Krishtit.
Fjala advent vjen nga latinishtja dhe do të thotë “ardhje”. Në shekullin XII, Bernardi i Kiaravales foli mbi tri ardhjet e Krishtit, duke na kujtuar thellësinë e misterit të besimit tonë. Ardhja e Tij e parë si foshnjë e përulur në Betlehem, për të sjellë shpëtimin dhe dritën në një botë të mbytur nga errësira. Ardhja e Tij e dytë në fund të kohërave, për të vendosur drejtësinë dhe për të ripërtërirë gjithë krijimin. Dhe e fundit, ardhja e Tij çdo ditë në jetën e besimtarëve, duke trokitur në zemrat e tyre përmes Shpirtit të Shenjtë.
Gjatë kësaj kohe përqendrohemi në katër tema kryesore: Shpresa, Paqja, Gëzimi, dhe Dashuria, të cilat përfaqësojnë aspektet shpirtërore të jetës dhe dhuratës së Krishtit për botën. Kjo stinë shërben si një udhëtim i brendshëm për përgatitjen e zemrave për të pritur Shpëtimtarin dhe na thellon më shumë në jetën tonë shpirtërore gjatë kësaj kohe festive.
SHPRESA
“Populli, që ecte në errësirë, pa një dritë të madhe, mbi ata, që banonin në vendin e territ, shkëlqeu drita.” - Isaia 9:21
Më 1 dhjetor është ndezur qiriri i parë i Adventit, që është ai i Shpresës ose i quajtur ndryshe i Profecisë. Ky qiri përfaqëson shpresën që populli i Perëndisë kishte për shekuj me radhë, ndërsa priste Mesinë e premtuar.
Adventi na kujton që përpara çdo lindjeje të re ka një kohë pritjeje, përpara çdo mëngjesi të ndritur ka një natë të gjatë. Jezusi erdhi për të sjellë dritë mbi errësirën dhe shpresë në zemrat e njerëzve. Prandaj, gjatë kësaj jave, le të përqendrohemi në kujtimin dhe besimin në premtimet e Zotit për ne dhe të mbushemi me shpresën se Ai do të mbajë çdo premtim. Ardhja e Tij si një foshnjë na siguron që Ai i mban premtimet. Errësira nuk është fundi por ajo që i paraprin dritës.
Gjithmonë Krishtlindje, por Kurrë Dimër
Pritja e popullit të Izraelit për Krishtin mund të krahasohet me pritjen e Narnias për ardhjen e Aslanit, Gjithmonë Dimër, por Kurrë Krishtlindje. Dimri, si simbol i errësirës dhe ftohtësisë, është një periudhë e mundimshme, ku shpresa mund të duket e largët. Por Krishtlindja i jep fund asaj periudhe të gjatë dimri dhe sjell pranverën, jetën e re.
“Drita ndriçon në errësirë dhe errësira nuk e mundi dot.”
Gjoni 1:5
Ndërsa presim ardhjen e dytë të Zotit tonë Jezu Krisht, është mirë të mbushemi me mirënjohje për misterin e mahnitshëm hyjnor të ardhjes së Tij të parë dhe të kërkojmë që Ai të vijë çdo ditë në zemrat tona. Kjo është një mundësi për të gjetur paqe dhe gëzim në mes të pritjes, sepse e dimë që Ai do të kthehet dhe do të sjellë një shenjë të përhershme të paqes dhe dashurisë. Kur Ai të vijë përsëri do të jetë Gjithmonë Krishtlindje, Por Kurrë Dimër. Atëherë, çdo periudhë vuajtjeje do të mbyllet, dhe ne do të jetojmë përjetësisht në dritën e Tij.
Himn Krishtlindjeje:
Qytet i Vogël Betlehem
Sa shumë i heshtur je.
Yje të qet' ndriçojnë nga qiejt
Mbi ty ndërsa ti fle.
Në rrug't e tua t' err'ta
Një dritë e re u gdhi
Se shpres' e gjithë njerëzve
Ka lindur sot tek ti.2
Një Liturgji Shprese:
“Të falënderojmë, o Jezu Krisht, Zoti ynë i dashur, që, në mes të territ ku populli yt ecte në rebelim dhe verbim, Ti erdhe për të sjellë dritën e shpëtimit dhe për të na çliruar nga pushteti i errësirës. Eja, o Shpirt i Shenjtë, në zemrat tona dhe mbushna me gëzimin e adventit, që të mund të besojmë dhe ta shpallim këtë lajm të mrekullueshëm për ata që akoma ndodhen në errësirë. Na mbush, o Zot, me një shpresë të thellë gjatë kësaj kohe pritjeje, që të qëndrojmë të palëkundur në premtimet e tua të sigurta dhe të presim ardhjen Tënde të dytë, duke qëndruar zgjuar.”
Pyetje për reflektim:
Cili ka qenë sezoni më i vështirë i pritjes në jetën tuaj deri tani?
Në mes të asaj pritjeje, si e keni përjetuar shpresën?
Si mund të prisni me shpresë këtë dhjetor, ndërsa reflektoni mbi lindjen e Krishtit dhe ardhjen e Tij të dytë?
Isaia 9:1 (Përkthimi “Së Bashku”)
O Little Town of Bethlehem, përkthyer nga Shaun Thompson