"Sepse një fëmijë na lindi, një bir na u dha, dhe sundimi do të jetë mbi supet e tij. Ai do të quhet Këshilltar i Mrekullueshëm, Perëndi i Fuqishëm, Atë i Përjetshëm, Princ i Paqes."- Isaia 9:6
Në çdo njeri ekziston një kërkim i pashtershëm për plotësi, një nevojë për pushim të thellë dhe për qetësi të plotë. Në javën e dytë të Adventit, ndezim qiririn e Paqes, i cili na kujton premtimin e madh të Perëndisë për një shpëtimtar që do të sjellë Shalom.
Shalom
Fjala shalom nga hebraishtja përkthehet shpesh si "paqe," por është shumë më e gjerë se kaq. Shalom i referohet gjendjes së plotësisë apo përmbushjes së të gjitha nevojave të jetës në të gjitha dimensionet: shpirtërore, fizike, emocionale dhe sociale. Ajo lloj paqeje që vjen kur gjithçka është në linjë me vullnetin e Perëndisë. Java e dytë e Adventit na kujton sërish premtimin e mrekullueshëm të Perëndisë për ardhjen e një shpëtimtari që do të sjellë paqen e vërtetë.
Në këtë sezon, ndërsa përballemi me zhurmat dhe presionet e jetës, shumë nga ne bëhemi më të vetëdijshëm për boshllëkun që ndjejmë përbrenda. Kjo mund të kthehet në një mundësi të shkëlqyer për ta shndërruar këtë boshlllëk në një ftesë për të përjetuar paqen e plotë që Jezusi sjell në ne. Në këtë javë të Adventit, le të kujtojmë që paqja nuk është një gjendje e jashtme, por një person, Jezu Krishti, Zoti ynë.
Zoti i Paqes, Princi i Paqes, Shpirti i Paqes
Paqja është e mishëruar në vetë natyrën dhe praninë e Perëndisë. Ati quhet "Zoti i Paqes", Jezusi "Princi i Paqes", dhe Shpirti i Shenjtë "Shpirti i Paqes."
Isaia 9:6 e shpall Jezusin si "Princin e Paqes," duke e identifikuar Atë si shpëtimtarin që jo vetëm premton paqe, por e sjell atë në plotësinë e saj. Jezusi nuk erdhi vetëm për të ndalur luftërat tokësore, por për të adresuar rrënjën e të gjithë luftërave: mëkatin, ndarjen nga Perëndia. Paqja që sjell Jezusi është shalom-i që përfshin pajtimin, shërimin dhe harmoninë e plotë në marrëdhënien me Zotin dhe njëri-tjetrin.
Jezusi u bë mishërimi i kësaj paqeje përmes jetës, vdekjes dhe ringjalljes së Tij. Gjatë jetës së Tij tokësore Ai qetësoi stuhitë, shëroi të sëmurët dhe ofroi pushim për shpirtrat e rënduar, duke na kujtuar se vetëm në Të mund të gjejmë atë plotësi dhe përmbushje përtej rrethanave tona.
Por pse është kaq e vështirë për ne që të jetojmë në këtë lloj paqeje?
Beteja për Paqen
Shumë shpesh, kërkimi për këtë lloj paqeje për të cilën po flasim, duket si një betejë e furishme, një përleshje që zhvillohet brenda nesh. Në këtë betejë përplasen pa mëshirë forca të ndryshme: frika kundër besimit, ankthi kundër pushimit, dhe mishi kundër frymës, zhurmat e botës kundër pëshpërimës të ëmbël të Krishtit. Djalli dhe rrethanat tona përpiqen të na mbajnë të robëruar nga shqetësimet e jashtme, por Jezusi na kujton se paqja e Tij buron nga një burim i përhershëm brenda nesh, sepse Ai banon në ne. Për ta fituar këtë betejë, ne duhet të heshtim zhurmat dhe të përqendrojmë zemrat tona në praninë e Tij, aty ku paqja mbretëron pa fund.
“Po ju lë paqen, po ju jap paqen time. Unë nuk jua jap paqen siç jua jep bota. Le të mos ju tronditet zemra, as të mos ju frikësohet!” - Gjoni 14:27
Ky është lajmi i mrekullueshëm i Krishtlindjes, që shpëtimtari erdhi për të na sjellë shalom, Emanuel, Perëndia me ne. Paqja e Tij është e disponueshme sot për ne dhe për të gjithë ata që e duan atë. Dhe në ditën kur Emanueli të vijë sërish shalom-i i Tij do të jetë i plotë dhe i përjetshëm.
Këngë për Krishtlindje:
“KRIJUESI MES NESH”
Autori prej të cilit universi mori formë
Mes nesh zgjodhi të vijë si një fëmijë
Ai, që me çdo fjalë edhe kaosit i dha trajtë
Mes nesh mësoi të flasë nga një njeriEmanuel, Ti erdhe si fëmijë,
Në krahët e Marisë.
Emanuel, Krijues i gjithësisë,
Mes nesh eja t’banosh sërish1
Pika për Reflektim:
Çfarë shqetësimesh apo zhurmash në jetën tuaj ju pengojnë të përjetoni paqen e plotë që Krishti ofron?
Si mund të gjeni hapësira të vogla në përditshmërinë tuaj për të ndaluar, për të reflektuar dhe për të kërkuar praninë e Perëndisë?
Në ç’mënyra mund të jeni një bartës i paqes së Krishtit për të tjerët në rrethin tuaj këtë javë?
Një Liturgji për Paqen:
”Zoti ynë Jezu Krisht, Emanuel, Princ i Paqes;
Të falenderojmë që erdhe tek ne dhe që qëndron në ne.
Na ndihmo që të përqafojmë paqen që ti ofron dhe të qëndrojmë në të çdo moment. Qofshim bartës të Mbretërisë Tënde të paqes në këtë sezon dhe gjatë vitit që po vjen.
Amen.”
Krijuesi Mes Nesh, Xhulio & Ruthi Poçi